Një tjetër ngjarje e rëndë kriminale ka goditur zemrën e Tiranës, duke rritur ndjeshëm ndjenjën e pasigurisë në vend. Mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 21:50, katër persona mbetën të plagosur pas një atentati të armatosur të ndodhur pranë Tregut Agro-Ushqimor në zonën e Lundrës. Në shënjestër të breshërisë së plumbave ra një automjet tip “G-Class” me të cilin po udhëtonin katër persona, mes tyre edhe dy të mitur: Dior Demiraj, 11 vjeç, dhe Marko Bardhi Demiraj, 17 vjeç — djali dhe nipi i pronarit të njohur të kompanisë së sigurisë private “Pelikan Security”, Vesel Bardhi.
Sipas burimeve të para, sulmi është kryer nga persona ende të paidentifikuar, të cilët dyshohet se kanë ndjekur makinën për afro 20 minuta përpara se të qëllonin në lëvizje me armë zjarri. Të plagosur mbetën gjithashtu edhe Kian Mullaj, 19 vjeç, dhe Arenc Stafa, 34 vjeç — ky i fundit shoferi i mjetit dhe punonjës i kompanisë “Pelikan Security”. Raportohet se Stafa dhe Mullaj janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa gjendja e 11-vjeçarit Dior Demiraj paraqitet kritike dhe vijon të jetë në luftë me vdekjen në spitalin e Traumës.
Një detaj që ka prekur opinionin publik është fakti se Diori kishte festuar ditëlindjen e tij të 11-të vetëm disa orë përpara atentatit. Gjyshi i tij, Vesel Bardhi, kishte bërë një urim prekës në rrjetet sociale: “Sot ky djali Dior Demiraj mbush 11 vjeç. Gjyshi i uron të bëhet 100 vjeç, gjithmonë i lumtur e me shëndet pranë familjes”. Askush nuk mund të parashikonte se pak orë më vonë, i mituri do të ndodhej mes jetës dhe vdekjes si pasojë e një sulmi të egër me armë.
Policia në alarm – autorët në kërkim
Pas ngjarjes, forca të shumta policie u vendosën në gatishmëri, duke ngritur pika kontrolli në hyrje-daljet e kryeqytetit. Familjarë të të plagosurve dhe dëshmitarë janë marrë në pyetje nga grupi hetimor, ndërsa Prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim intensiv për të identifikuar autorët dhe për të zbardhur motivet e atentatit.
Deri më tani, nuk është bërë i ditur shënjestra e sulmit, por fakti që në automjet ndodheshin persona të lidhur me një kompani sigurie shton dyshimet se kemi të bëjmë me një konflikt të rrezikshëm në prapaskenë.
Policia ka konfirmuar se automjeti është qëlluar ndërsa ishte në lëvizje, dhe shoferi Arenc Stafa kishte tentuar të largohej me shpejtësi, por për shkak të plagëve kishte humbur ndjenjat pak minuta më vonë në zonën e Lundrës.
Një ngjarje që ngre shumë pikëpyetje
Ky atentat ka tronditur opinionin publik jo vetëm për dhunën brutale, por edhe për faktin se nuk është kursyer as jeta e fëmijëve. Një realitet kriminal që duket se nuk njeh më kufij, ku edhe të miturit bëhen viktima të hesapesh të pista që zhvillohen në hije.
Përgjegjësit ende janë të lirë dhe Policia e Shtetit është nën presion për të dhënë përgjigje të shpejta e konkrete. Sepse ky nuk është vetëm një atentat i rëndë — është një alarm i fortë për drejtësinë, sigurinë dhe rendin në vend. Dhe nëse drejtësia nuk vepron, atëherë këtë 11-vjetor të Diorit do ta kujtojmë jo si një ditë gëzimi, por si një tjetër dëshmi të hidhur se sa lehtë rrezikohet jeta në rrugët tona.
Be First to Comment