Vrasja e Gjovalin Prendit në Pllanë të Lezhës ka tronditur opinionin publik, ndërsa hetimet po thellohen në pistën e hakmarrjes për të kaluarën kriminale të të birit, Roan Brahimi, i njohur gjithashtu si Sidorel Prendi.
Gazetari Klajdi Bodlli, i ftuar në emisionin “Open” në News24, ka zbuluar se atentati dyshohet të jetë kryer nga vrasës me pagesë, të cilët e kishin ndjekur prej kohësh viktimën. Ekzekutimi, sipas tij, është realizuar brenda vetëm 30 sekondave, ndërsa Prendi ndodhej në lokalin e tij së bashku me bashkëshorten dhe një mik.
Pas ngjarjes, autorët u larguan me një automjet që më pas u gjet i djegur, një taktikë e zakonshme në krimet mafioze për të zhdukur gjurmët.
Pista kryesore e hetimeve është hakmarrja për vrasjen e të birit, Roan Brahimi, i cili u ekzekutua në Greqi vitin e kaluar, në një atentat ende të pazbardhur. Policia beson se konfliktet e Brahimit në Shqipëri mund të kenë sjellë pasoja tragjike për familjen e tij.
Autoritetet shqiptare dhe ato greke po bashkëpunojnë për të lidhur të dy ngjarjet, ndërsa identifikimi i autorëve të atentatit mbetet ende një sfidë për hetuesit.
Be First to Comment